Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë se nga dita e hënë do të nisin fluturimet për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut, dhe se nuk do të paguhet asnjë lekë nga xhepi i tyre për udhëtimet. Kreu i qeverisë në një komunikim në Facebook, LIVE nga zyra e tij në kryeministri, tha se fluturimet do të bëhen me avionin "Lasgushi" të kompanisë "Air Albania", dhe se aktualisht ministrja Belinda Balluku është duke punuar për marrjen e lejeve të posaçme.
"Unë po bëhem copash po bëhemi 14 copash të gjithë për të mos lënë as edhe një vetëm. Shumë vetëm duan të vijnë dhe kanë vendosur të paguajnë edhe udhëtimin, i falenderoj për këtë. Nuk do të lë gurë pa luajtur për t'i ardhur në ndihmë të gjithëve. Por dreqi e mori futeni mirë në kokë që jemi në luftë dhe secili duhet të shtrëngohet. Do të nisim të hënën fluturimet për t'i sjellë në atdhe, nesër do të publikojmë kalendarin e misionit të riatdhesimit dhe pikat përkatëse. Këto misione do t'i kryejmë pa pagesë nga ana e individëve, dhe unë besoj se i takon "Lasgushit" t'i sjellë njerëzit tanë në shtëpi. Air Albania është kompania e flamurit kuqezi, dhe në këtë hall të madh kombëtar i kam kërkuar kompanisë të marrë përsipër barrën e të qenit shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Europës, dhe të mos marrë lekë për të kryer këto misione humanitare. Jam i lumtur që gatishmëria ka qenë e menjëhershme. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon për lejet speciale të këtyre charterve", theksoi shefi i mazhorancës.
Rama tha se ka marrë jo pak mesazhe nga studentë, familjarë të ndarë nga kufiri i mbyllur, dhe tha se shumica e rasteve janë zgjidhur. "Por jemi plotësisht të vetëdijshëm për stresin që rritet përditë për njerëzit që kanë mbetur rrugëve Evropës", tha Rama.