Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me studentët e Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës.Takimi i Ramës me studentët vjen në kuadër të hapjes së një procesi dialogu mes qeverisë dhe studentëve për plotësimin e 8 kërkesave të parashtruara prej 2 javësh nga studentët. Ndërkohë disa studentë thonë se nuk janë lejuar që të hyjnë brenda sallës pasi salla është mbushur plot. Gjatë takimit, Rama u shpreh se qeveria ka angazhimin e duhur për të plotësuar 8 pikat e propozuara nga studentët, por edhe për të shkuar më tej. Kryeministri foli për herë të parë për subvencionim të tarifës së studimeve Master për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje që marrin ndihmë ekonomike.
Ditën e djeshme, qeveria publikoi “Paktin për Universitetin”, një platformë e cila synon plotësimin e kërkesave dhe përmirësimin e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Rama takoi dje studentët e Universitetit të Vlorës, ndërsa më parë diskutoi edhe me ata të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe studentët e Gjeologji-Minierave. Më herët gjatë ditës kryeministri u përball me opozitën në Kuvend, ku u qëllua me vezë nga deputeti demokrat, Endri Hasa.