Rama urdhër bashkisë Durrës: Nga nesër 2 punonjës tek çdo i prekur nga tërmeti...INFORMOJINI për çdo gjë

2 Dhjetor 2019, 18:27

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pastrimi i inerteve nga pallatet e shembura do të bëhet para Vitit të Ri dhe depozitimi i tyre do të bëhet në Porto Romano. Në mbledhjen e zhvilluar në Durrës, kreu i qeverisë ka deklaruar gjithashtu se të gjithë punonjësit e administratës do të dalin në terren, në çdo vend që ka banorë të prekur nga tërmeti dhe do të bëjnë sqarimin e informimin e qytetarëve se cilat janë hapat që duhet ndjekur deri sa të hyjnë në shtëpinë e re. 

"Lista e investitorëve që kanë ndërtuar pallatet që janë m dëme, por nga pikëpamja strukturore janë "ok", ato që do të riparohen. Këta do të thirren të gjithë dhe do i riparojnë një e nga një, jo si të thuash ti, por si të themi ne. Nesër në darkë dua informacion, kush janë këta dhe ku janë këta, se mund të ketë ndonjë që bën si i falimentuar. Pallatet që janë negativ, do shemben. Është problemi i inerteve. Atëherë na duhet nesër harta e Durrësit me pikat ku janë inerte. Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet, siç u pastrua Lana, me kuadrate. Tjetra, inertet do të depozitohen në Porto Romano, dhe do fillohet projekti për të hequr atë fushë plehrash dhe do të bëjmë park. Tjetra, dua hartën e tokës shtetërore që është në zonën e Universitetit, ngjitur me zonën ekonomike. Dua hartën me të gjitha të dhënat. Nga nesër në mëngjes të gjithë punonjësit e administratës. Në çdo pikë ku ka njerëz duhet të jenë dy persona që të rrinë dhe t'ju shpjegojnë me qetësinë me të madhe se çfarë do bëhet", tha Rama.

    No videos found.