Rama: Vitin tjetër nis ndërtimi i Skavicës, HEC-et e vogla shushunja! Radhën e ka rruga Milot-Fier

3 Qershor 2020, 15:09

 

TIRANE-Vitin tjetër do të nisë ndërtimi i HEC-it të Skavicës. HEC-in nuk do të ndërtojë privati, por 100% shteti. Kryeministri Edi Rama u shpreh në prezantimin e projektit se kjo është një ëndërr e mbetur në sirtar që prej viteve '60. Investimi pritet që të kapë shumën e 500 mln eurove, teksa 350 mln llogariten për ndërtimin dhe 150 mln të tjera për shpronësimet dhe infrastrukturën. "Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i Hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit. Qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit. Hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit. Me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, Kantieri i Madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm.HEC-i i Skaviës në Samitin e Triestes u miratua në 2017. Projekti u pranua dhe sot kemi një pamje të detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania franceze. Duke parë qartësisht rëndësinë dhe historinë e dështimeve të mëparshme të të gjitha qeverive të mëparshme dhe duke vlerësuar domosdoshmërinë në kushtet aktuale në kuadrin e planit të përgjithshëm kombëtar. Vendosëm që këtë vepër ta financojmë 100% vetë. Do të parandalohen përmbytjet kur ndodhin shkarkimet masive" tha Rama. "HEC-et vogla kanë funksionuar si shushunja duke lënë toka të tëra pa burimin ujor, komunitetin pa punuar tokën, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit".

    No videos found.