Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ministria e Punës ka organizuar në sheshin ‘Skënderbej’ panairin e punës, ku morën pjesë kompani dhe biznese të njohura në vend.
Stendat u vizituan nga kryeministri Edi Rama i cili theksoi edhe njëherë tjetër se vende pune ka në ndërmarrjet private, por ajo që nevojitet janë profesionistët dhe dorëzimi i kërkesave pranë Zyrave të Punës, të cilat bëjnë ndërlidhjen me bizneset.
“Të vijnë të kërkojnë punë në privat, aty është puna. Kushdo që del nga ndihma ekonomike përfiton trajnim falas për formime profesionale. Në të gjitha ndërmarrjet ka vende pune, por puna nuk vjen në shtëpi, puna nuk është vetëm punë shteti.
Të ndajmë këtë vijë, të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizje që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat. Kur vjen puna te pagat, duhet të rriten, por duhet të rritet dhe që ekonomia të rritet duhet të punojmë shumë fort të gjithë së bashku.
Këtu në këtë panair ka edhe paga të ulëta, por ka edhe paga mesatare e të larta. Ka banka që kërkojnë punonjës, kompani të mëdha që kërkojnë menaxher. Jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, por duhet të luftojmë të gjithë së bashku me një psikologji të rëndë të trashëguar me mirë me një punë shteti, në kafe me lekët e mamit dhe babit ose në Facebook t’i them kryeministrit “o legen na gjej punë”.