Kryeministri Edi Rama ka pasur një telefonatë të gjatë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Ka qenë kryeministri Rama, i cili përmes një postimi në Twitter, thotë se ka biseduar për 45 minuta me Merkel, mbi negociatat e Shqipërisë me BE.
Gjatë një telefonate rreth 45 min me Kancelaren Merkel vendosëm të gjitha pikat mbi “i” për ecurinë e mëtejshme të përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësim.Kancelarja rinënvizoi qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të Shqipërisë. Danke Angela”, shkruan Rama.
Biseda telefonike e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Merkel vjen vetëm pak ditë pas Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe BE.
Ishte Franca, e cila vendosi veto për të mos hapur negociatat me dy vendet, ndërsa Gjermani ishte një zë i fortë për hapjen e negociatave.
Presidenti i Francës, Emannuel Macron e justifikoi qëndrimin e këtij vendi, me idenë e tij se Bashkimi Europian, si fillim duhet që të reformohet brenda vetës, e më pas të nisë procesi i zgjerimit me vende të tjera.
Qëndrimi i Macron nuk është pritur mirë nga shumica e vendeve anëtare të BE-së, të cilët kanë shprehur shqetësim të madh për situatën që mund të krijohet pas këtij vendimi.
Po ashtu, edhe SHBA ka kritikuar mos hapjen e negociatave, duke theksuar se si Shqipëria, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet për të vazhduar procesin e integrimit të tyre në BE.