Kryeministri Edi Rama ka zbritur sot në terren, duke parë nga afër situatën e pastërtisë në bregdetin shqiptar. Nga plazhi i Shëngjinit, ku ndodhet prej ditës së djeshme në Lezhë për llogaridhënien publike të qeverisë, kryeministri deklaroi se ky sezon do të jetë më i pastërti, ku do të garantohet një pastërti gjatë gjithë kohës.
Sipas tij, janë plot 1 mijë të rinj, që do të jenë të përfshirë gjithë sezonin për të sensibilizuar dhe penguar inercinë e tmerrshme të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend.
Ajo që po përpiqemi të bëjmë për këtë sezon është që jo vetëm t’i pastrojmë, por edhe të garantojmë një pastërti gjatë gjithë kohës. Do koordinojmë forcat e aktorëve të ndryshëm, besoj se do jetë një sezon shumë më i pastër se herët e tjera, sepse kemi rreth 1 mijë të rinj që do jenë të përfshirë gjithë sezonin për të sensibilizuar dhe penguar inercinë e tmerrshme të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend. Më e rëndësishmja mbetet pastërtia dhe siguria. Sa i përket sigurisë kemi bërë një plan shumë të detajuar, duke filluar nga koordinimi i të gjithë hoteleve me Policinë e Shtetit, duke bërë që këtë vit të zbusim dhe zhurmën e tmerrshme.
Kryeministri Edi Rama
Nga ana e saj, edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, deklaroi se qeveria do të ketë plan të detajuar për të ndarë përgjegjësinë për pastrimin dhe për një shërbim cilësor.
Do kemi plan të detajuar për të ndarë përgjegjësinë për pastrimin dhe për një shërbim cilësor, për ta kthyer Shëngjinin në atë që meritojnë shqiptarët.