Rama zbulon dakordësitë dhe debatet në mbledhjen me Metën e Bashën që solli votimin e rëndësishëm në Kuvend

16 Prill 2020, 14:51

Kryeministri Edi Rama i quajti votimet në Kuvend së bashku me ndryshimet për në Kodin Penal, sipas disa ndryshimeve të propozuara nga Presidenti Ilir Meta

Një mbledhje me debate për opinionet natyrshëm të ndryshme mes palëve, që prodhoi konsensusin politik për të sjellë ndryshime në Kodin Penal që për herë të parë përfshijnë ndëshkrimet nga gjobë deri në burg për epidemitë.

Në një përgjigje për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri në përfundim të seancës të jashtëzakonshme ku u votuan ndryshimet në Kodin Penal, kryeministri tha se dakordësia ishte arritur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë një ditë më parë.

Rama pranoi se ka pasur debate mes tij dhe liderit demokrat Lulzim Basha, por tha se mbledhja ishte sipas tij një shembull që duhet ndjekur edhe në politikën publike sa i përket përballjes së mendimeve të ndryshme.

"Po mos të kishte debate atëherë pse u bë mbledhja, se nuk u mblodhëm për t'u parë në sy dhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin, u mblodhëm për të shkëmbyer opinione që natyrshëm nuk janë të njëjta. E rëndësishme është cilësia e debatit dhe mënyra se edhe kur nuk biem dakord , shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta, dhe pozicionimi kundër i natyrshëm do të ishte edhe në jetën politike publike, do të ishte si në dy mbledhjet e fundit të këshillit të sigurisë kombëtare, politika do të ishte shumë më e pranueshme dhe e besueshme për njerëzit", tha Rama.

Rama tha se me masat lehtësuese për bizneset ku shumë prej tyre pritet të hapen nisur nga situata nën kontroll që Shqipëria ka pasur me përballimin e pandemisë, do të duhet të ashpërsohen ndëshkimet që të mos ketë sërish kthesë në izolim.