Rama zbulon pse Sejdini dhe Dako mbyllën garën...Dhe një krahasim mes Shkodrës dhe Vlorës (apeli për demokratët)

14 Maj 2019, 15:30

Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë publikisht në lidhje me dy kryebashkiakët e Partisë Socialiste në Elbasan dhe në Durrës, Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon prej tre mandatesh në krye të këtyre bashkive. Kreu i qeverisë tha se ka qenë kërkesë e tyre për tu larguar nga gara.

"Jeni të lirë ta besoni ose jo, është kërkesë e tyre, prej kohësh, tre mandate, 12 vjet në krye të dy qyteteve të rëndësishme, janë shumë. Janë jashtëzakonisht shumë. Janë konsum i madh, dhe nevoja për të sjellë energji të reja dhe për të shtyrë më tutje punën e nisur, është evidente", tha Rama.

Kryeministri tha se ambicia e tij është që të fitohen të gjitha bashkitë në të 61 qarqet, përsakohë në garë hyhet për fitore. Përmendi Shkodrën, kandidaturën e Vladrin Pjetrit, si rastin kur sipas tij edhe vetë demokratët duhet ta votojnë për të bërë krahasimin e dukshëm nga Shkodra e qeverisur prej çerekshekulli nga të djathtët.

"Unë bëj debat me njerëzit e lidershipit të partisë sa herë që them, jo i duam të 61 bashkitë. janë 61 gara pavarësisht se nuk ka garë në të 61-a, në garë shkon për të fituar. Kush është më i mirë se ne, në këtë fushë? Më të mirët nuk jemi, por kush është më i mirë se ne? Kujt t'ja besosh Shkodrën, atyre që e patën aty dhe që e qeverisin prej çerekshekulli, dhe bëni vetëm krahasimin. Gjatë qeverisjes së çerekshekulli, nuk është se Shkodra nuk ka pasur mbështetje, bëni krahasimin mes Shkodrës dhe Vlorës.  I synojmë të gjitha bashkitë. Në këtë pikë e kam bindje që më e mira është për çdo komunitet që të votojë kandidatët tanë. Më e mira është për çdo demokrat në Shkodër që nuk punon në bashki dhe që nuk ka interes personal, se atyre nuk kam çfarë t'i them, se ata do ikin që aty, por të votojnë kandidatin tonë", tha shefi i mazhorancës. 

Ai ka sqaruar gjithashtu se përse në qytetet e tjera të Shqipërisë ka rikandiduar emra që kanë mbi 5 mandate. Sipas kreut të qeverisë, kufiri i 3 mandateve është menduar të jetë i vlefshëm vetëm në qytete të mëdha të vendit.

"Për dy nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Ne nuk vumë kufi, për 3 mandate në gjithë Shqipërinë. Në Francë ka kryebashkiak që kanë harruar se kur janë zgjedhur për herë të parë. Qytetet e mëdha janë një histori tjetër, aq më tepër në Shqipëri. Prej kohësh ka qenë kërkesë e të dyve. Kanë qenë ata të parët, që më kanë thënë "3 mandate boll", u shpreh Rama.

    No videos found.