Rama: Zgjedhjet do të bëhen, kush i pengon e pret burgu! Hajdari: Përulem, t'i japim fund krizës

25 Prill 2019, 19:57

Kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejt sot Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Integrim se nëse do të tentojnë që të bllokojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit i pret burgu. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar në javën e fundit se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, por kryeministri sot lexoi atë që parashikon ligji për pengimin e procesit të votimit.

"Pengimi i zgjedhjeve dënohet 1-5 vite burg, falsifikimi i materialeve zgjedhore dënohet 1-5 vite burg, dënimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-4 vite burg, 2-5 kur është në bashkëpunim, se këtu është bashkëpunimi i madh, këta duhet ta dëgjojnë.

Pengimi i zgjedhjeve për të votuar personi dënohet 1-5 vite dhe 3-7 vite kur bëhet në bashkëpunim. Nëse ka budallenj që janë gati të përballen me këtë ligj të votuar nga parlamenti me iniciativë të PD-së dhe PS-së kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit apo pse filxhani se ka nxjerrë akoma qartë, le të shkojë. Por unë besoj se njerëzit do të ftillohen dhe do të kuptojnë" tha Rama.

Rama u shpreh i vendosur se pavarësisht kërcënimeve në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhjet "Ne nuk kemi zgjedhje tjetër vetëm të vijojmë me rrugën tonë, pa u marrë me ata, pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rreziqeve të një procesi kur parti dhe disa kryetarë pa parti përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur. Kjo nuk është zgjedhja jonë apo faji ynë, mund të bënim më shumë? Mbase, por nuk e di se cfarë" tha ai.

Me kryeministrin replikoi kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari që u kërkoi me përulësi të gjitha palëve që të ulen për të zgjidhur krizën në mënyrë që vendi të mos shkojë në përplasje civile. "Do kërkoja me përulje dhe të pranoni ftesën time që t'i jepni fund kësaj krize, asnjë nuk do që ne të kemi përballje civile. Kemi kaluar shumë në këtë vend, kemi pasur situata të vështira, dhe ne me vullnet të plotë mundemi dhe duhet ta evitojmë këtë situatë. Nuk mund të themi thjesht ka kaq ndëshkim për këtë që bën atë dhe kaq për këtë" tha ajo.