Rama: Zgjedhjet nuk negociohen, opozita rrugore nuk ka vullnet për çeljen e negociatave

30 Maj 2019, 13:57

Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel opozitës joparlamentare që të mos ktheje në peng të axhendës politike një proces të rëndësishëm për gjithë Shqipërinë, i cili nuk ka lidhje me një palë politike, që të bashkojnë zërin në mënyrë që Shqipëria të marrë dritën jeshile edhe nga Këshilli i Evropës për çeljen e negociatave.

Gjatë fjalës në kuvend kreu i qeverisë tha, se raport progresi i Komisionit Evropian, që rekomandon hapjen e negociatave është mjaft objektiv, por vendimi i Këshillit të Evropës nga të gjitha vendet anëtarë në BE, është politik dhe ndaj angazhimi i politikës së brendshme në Shqipëri duhet të jetë në favor të këtij procesi.

"Mes rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave dhe vendimit politik të KiE, ka një hapësire kohore dhe subjektivizmi politik, ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën, dhe partive u takon të jenë bashkë në një zë. Mjafton të shohësh reagimet e opozitës rrugore në raport me raportin e progresit për të kuptuar, se jo vetëm që nuk ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me të gjithë ne që jemi këtu pavarësisht dallimeve dhe kundërshtimeve që kemi këtu, dhe me gjithë shqiptarët që mbi 90% e tyre duan BE-në, është e qartë që ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe alibi negative të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Evropës, aq më pak çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Është për të ardhur keq, e pakuptimtë në aspektin strategjik, se negociatat nuk janë të një partie, i gjithë ky proces nuk ka qenë procesi i një pale", u shpreh Rama.

Shefi i mazhorancës i bëri edhe një herë apel për dialog opozitës joparlamentare sa i përket procesit zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen, pasi kjo datë buron nga Kushtetuta, si caktim i dekretit të Presidentit.

    No videos found.