Ultimatumit të liderit demokrat Lulzim Basha me një platformë me 5 pika të cilën kryeministri duhet ta pranojë për të zgjidhur krizën dhe si kusht për të vijuar më tej dialogun për reformën zgjedhore, Edi Rama i dha përgjigje sot në Kuvendin e Shqipërisë. Qëndrimi i tij ishte i qartë: opozita e dalë tashmë jashtë parlamentit nuk është në pozitat për të vënë kushte. Zgjidhja sipas kreut të qeverisë, duhet të vijë si pasojë e bashkëpunimit me opozitën e re në Parlament për të miratuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Kjo, tha Rama, bëhet pëer të ardhmen evropiane të Shqipërisë, për të plotësuar kështu, edhe dy nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave, Gjykatën Kushtetuese e të Lartë dhe reformën zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk ndali batutat dhe ironinë me deputetin Kujtim Gjuzi.
"T'i thotë një këmbësor që rri tek hija e fikut një makine hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën të më çosh mua planin? Kush je ti kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë bashkë me veten, ata janë të mirëpritur në çdo moment, unë ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje, madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në hall më të madh, ju nuk jeni në hall të madh, ju keni hallin e Evropës, zotëria atje ka hallin e monarkisë. Hallet tuaja luksoze mbajini vet, se erdhi se nuk erdhi monarkia, ti je mbret pa mbretëri (i drejtohet Kujtim Gjuzit), po mbret je nuk të lëviz njeri nga froni.
Gjuz ti nuk je i përgjegjshëm, ti je mbret, je më shumë. Naltmadhëni, ulu, se jemi akoma në republikë. O naltmadhni, dallimi mes meje dhe teje është se ti ke jetuar në luftën e parë botërore, mos më fut në terrenin e luftës se aty me mund. Ti vjen nga lufta e pare, flet me kompetence.