Raporte mjekësore fiktive, hetohen 3 punonjës të bashkisë Prrenjas

5 Nëntor 2019, 07:42

Report Tv mëson se nënkryetari i bashkisë Përrenjas, Ilir Balla, drejtori i shërbimeve Jani Topi, njëkohësisht bashkëshorti i ish-deputetes së LSI-së Suzana Topi dhe Bedri Rrushi Përgjegjës Shërbimesh, njësia Stravaj në Bashkinë e Përrenjas, janë duke u hetuar nga Drejtoria e Administratës publike të kësaj bashkie.

Hetimi i tyre ka ardhur për shkak se ata dyshohet të kenë marrë raporte fiktive, duke sajuar sëmundje që të mos paraqiten në punë, ndërsa pagat e tyre vijojnë të jenë aktive bazuar tek raportet e paraqitura.

Raportet janë paraqitur në zyrën e financës në Bashkine Prrenjas dhe prej afro 1 muaji ata qëndrojnë pushim për shkak se kanë siguruar raporte me diagnoza qesharake, nga ajo e diarresë deri tek hematomat në trup.

Si pasojë e dyshimeve me një shkresë zyrtare Drejtori i Sigurimeve shoqërore në Shqipëri Astrit Hado i ka kërkuar institucioneve verifikimin dhe nisjen e një hetimi administrativ për mjekët e familjeve që kanë dhënë raportet dhe për tre personat në fjalë.

Për këtë hetim, sipas Bashkisë Prrenjas janë vënë në dijeni edhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu.