Raporti/ 45 arsye pse përgjaken rrugët e Shqipërisë, roli i shtetit dhe i shoferëve në aksidente, 800 karburante të rrezikshme në anës rrugëve

8 Tetor 2020, 19:39

Kontrolli i Lartë i Shtetit raport për sigurinë rrugore, hyrje-dalje dhe kryqëzime jashtë kushteve teknike, nuk ndërhyhet në pikat e zeza, sinjalistikë e gabuar, ekspertët e sigurisë hiqen nga puna, drejtuesit e mjeteve përgjegjës për shpejtësinë jashtë normave, përdorimin e alkoolit dhe parakalimet e gabuara

Ministria e Brendshme ka përgatitur një paketë ligjore, e cila parashikon përshkallëzimin e masave ndëshkimore për shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugët e Shqipërisë. Në relacionin shpjegues të projektligjit pranohet edhe dështimi i reformës së nisur në vitin 2011 për frenimin e aksidenteve, pasi nuk u zbatua plotësisht si në BE dhe SHBA. Ndërkaq, vetëm gjatë muajit shtator 2020, u shënua një numër rekord aksidentesh, konkretisht 626 aksidente, 10 më shumë se sa një vit më parë, ndërsa humbën jetën 23 qytetarë, u lënduan 275 të tjerë si dhe 164 rrezikuan të humbnin jetën.