Raporti alarmues/ Në Durrës u legalizuan katet shtesë të 53 ndërtesave dhe objekte pa kolaudim gjatë viteve 2009-2011

2 Dhjetor 2019, 15:36

Pasojat e tërmetit në Durrës janë katastrofike. Përpos forcës së pazakontë të tërmetit të paktën gjatë 40 viteve të fundit, përgjegjësi në përmasat e tragjedisë dyshohet se ka edhe dora njerëzore. Gjatë viteve 2009-2011, në Durrës janë legalizuar në kundërshtim flagrant me ligjin, katet shtesë të 53 ndërtesave shumëkatëshe, duke i kthyer ato të pasigurta përballë tërmeteve. Katet e legalizuara nga ALUIZNI i atëhershëm janë ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit të dhënë nga autoritetet shtetërore. 

Shkeljet nisin që nga lejimi i kateve shtesë, kate të cilat janë vulosur si të ligjshme nga ALUIZNI. Të dhënat reflektohen një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën kohore 2009-2011. KLSH ka bërë një ballafaqim të numrit të kateve të ndërtesave të legalizuara në dosje dhe të numrit të kateve në momentin e fotografimit ajror. 

Në dosjet e legalizimeve gjatë kësaj periudhe, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se mungojnë edhe aktet e kolaudimit të ndërtesave. Po ashtu, janë kryer procedurat e legalizimit në mungesë të procesverbalit të konstatimit të gjendjes ndërtimore të objekteve, i cili nuk është pjesë e dosjeve ose nuk ka të dhëna të plota. Janë bërë legalizime ku mungojnë edhe projektet e objekteve për të cilët është nxjerrë leja e ndërtimit, së bashku me projektet e plotë arkitektonik. 

Sipas raportit, i cili duhet të jetë në vëmendjen e autoriteteve shtetërore, për të evituar tragjeditë bë të ardhmen, në shumë raste është miratuar dhe lëshuar leje legalizimi për një objekt që nuk rezulton i ndërtuar në momentin e fotografimit ajror, objekte të tjera janë legalizuar pranë vijës bregdetare, pranë trasesë së trenit, pranë rrugës kombëtare etj. 

Prokuroria e Durrësit ka hapur një hetim për përgjegjësitë njerëzore në pasojat e tërmetit në qytetin bregdetar. Përpos bilancit të të dhënave për legalizimet abuzive dhe lejimin e ndërtimeve të rrezikshme për jetën, pranë KLSH dhe organeve shtetërore në Durrës gjendjen të dhënat e plota për objektet konkrete ku janë bërë katet shtesë, personat që i kanë lejuar, ata që i kanë kolauduar si dhe zyrtarët që i kanë legalizuar.