Raporti final i 'Venecias'/ Pikat kyçe që rrëzuan Metën duke anuluar 30 qershorin me tejkalimin e kompetencave

14 Tetor 2019, 19:34

Komisioni i Venecias publikoi sot në faqen zyrtare raportin e plotë që miratoi ditën e enjte për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta duke zbardhur shkeljet që ka kryer me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Shqiptarja.com publikoi raportin e plotë, ndërsa sjell në mënyrë të përmbledhur edhe pikat kryesore ku evidentohet shkelja që ka kryer Ilir Meta me dekretin e tij që është cilësuar nga Komisioni i Venecias në tejkalim të kompetencave që i ka dhënë Kushtetuta e Shqipërisë.

Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vetëm në një situatë emergjente. Por edhe atëherë Presidentit i duhet konsensus politik dhe një ligji 'ad hoc' për të shtyrë zgjedhjet.  Pra Meta  tejkaloi kompetencat, por 'Venecia' nuk mendon se shkelja është aq e rëndë sa Presidenti të shkarkohet. 

Megjithatë tashmë 'topi' është në fushën e Komisionit të Posaçëm për Hetimin e Presidentit që do të vendosë me cfarë propozimi do i drejtohet parlamentit, i cili më pas nëse vendos shkarkimin e Ilir Metës, fjalën e fundit duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese që ende nuk është ngritur.

Raporti i Komisionit të Venecias nuk ka rrëzuar vetëm kreun e shtetit për dekretin, por edhe opozitën parlamentare që ka bojkotuar zgjedhjet. Për Lulzim Bashën dhe aleatët e tjerë të opozitës, zgjedhjet pa opozitën nuk janë demokratike, por moniste.

Por Komisioni i Venecias e thotë shumë qartë dhe prerë se pavarësisht se disa parti nuk marrin pjesë në zgjedhje, procesi duhet të zhvillohet, pasi nuk mund ta marrin peng.