Shqipëria 2.8 mln banorë dhe 611 grupe fetare

8 Korrik 2020, 18:42 | Përditesimi i fundit: 2020-07-08 18:43:26

Me tolerancën që e karakterizon, Shqipëria i ka hapur dyert 611 grupeve fetare ku përfshihen 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet. Të dhënat e marra nga Komisioni Shtetëror për regjistrimin e organizatave fetare janë bërë publike në raportin e departamentit amerikan të shtetit të vitit 2019 mbi liritë fetare në vendin tonë.

Ky numër është rritur ndjeshëm në 10 vitet e fundit. Në vitin 2010 Komiteti Shtetëror për Kultet raportoi rreth 230 grupe, organizata, fondacione dhe institucione arsimore fetare që veprojnë në të gjithë vendin. Qeveria amerikane vlerësoi se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare.-shkruhet në raportin e DASH për vitin 2019.Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhje. Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj që nga viti 2015.