Raporti i 'Doing business 2020', Shqipëria zbret 19 vende në një vit

24 Tetor 2019, 14:45

Shqipëria ulet 19 vende brenda një viti në listën e 190 ekonomive të botës, të analizuara nga Banka Botërore në raportimin e saj të përvitshëm “Doing Business”. Sipas BB, ekonomia shqiptare ka kaluar nga vendi 63, në të 82-tin. Performanca më e dobët për ekonominë shqiptare vlerësohet ajo në drejtim të marrjes së lejeve të ndërtimit nga biznesi, për të cilat jemi në vendin e 166-të në botë, ndërkohë që vjet ishin në vendin 151 dhe tek 106-a dy vjet më parë. Ky është një difekt që lidhet me vendime, të cilat i merr pushteti vendor. Ndërkohë, edhe tek zbatimi i kontratave shënohet një performancë shumë e ulët, që na rndit në vendin e 120-të. Situata në këtë drejtim ka lidhje me vendime korruptive të Gjyqësorit. Edhe vlerësimi për pagesën e taksave është mjaft i ulët, duke renditur Shqipërinë në vendin e 123-të në botë.

Por, për hapjen e një biznesi, Banka Botërore mendon se Shqipëria krijon kushte më të favorshme, duke na vendosur në vendin e 53-të. Ndërsa për tregtinë ndërmjet kufijve marrim një vlerësim edhe më të larta, duke u renditur në vendin e 25-të në botë.

Ndër 10 tregues të marrë parasysh nga ekspertët e Bankës Botërore në vlerësimin e ekonomive të vende të botës, 9 prej tyre për Shqipërinë janë parë në ulje këtë vit.

Në vendin e parë në botë radhitet Zelanda e Re, e ndjekur nga Sngapori dhe Hong Kongu. Kurse në fund të listës janë Somalia, Eritrea dhe Venezuela. Fqinji ynë lindor, Maqedonia e Veriut, ka marrë nota shumë pozitive, që e radhitin në vendin e 17-të në botë. Vende të tjera ballkanikë që performojnë pozitivisht janë Serbia (vendi i 44-t) dhe Mali i Zi (në të 50-tin).