Raporti i Eurostat: 183 mijë shqiptarë aplikojnë për azil, synojnë Gjermaninë

21 Dhjetor 2018, 15:12

167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian gjatë periudhës 2011-2017, dhe deri në vitin 2018, numri total i aplikantëve ka shkuar në 183 mijë.

Sipas të dhënave që ka publikuar Eurostat, më shumë se gjysma e individëve që kanë emigruar për periudhën 2011-2017, kanë aplikuar për azil, dhe gjatë kësaj kohe janë larguar nga vendi 317 mijë persona.  Viti 2015 shënoi rekordin më të lartë të numrit të azilantëve shqiptarë sipas të dhënave nga Eurostat, me 68 mijë e 900 aplikime. Në 2016 numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së ishte 32 mijë e 900 dhe në 2017-n ishte rreth 26 mijë.

Vendi i dytë me numrin më të lartë të azilantëve është Franca, me rreth 40.6 mijë aplikime, ose 24%. Mbretëria e Bashkuar është vendi i tretë për sa i përket përqendrimit të aplikimeve për azil me 12.4 mijë.

Në pesë vendet me numër të lartë të azilantëve është edhe Suedia me Greqinë, ku për periudhën 2011-2017, numri i kërkesave për azil ishte përkatësisht 9300 dhe 9200.

Edhe vendet e Beneluksit kanë qenë tërheqëse për sa i përket aplikimeve. Belgjika ka pasur në këto vite rreth  7000 aplikime nga shqiptarët, ndërsa në Holandë me rreth 3700 aplikime. Ndërsa në Luksemburg kanë aplikuar rreth 1000 shqiptarë.

Në Itali, edhe pse është vendi që ka strehuar më së shumti emigrantët shqiptarë, numri i azilantëve për këtë periudhë është 2300.  Për shkak të numrit të madh të komunitetit shqiptar në Itali, është më e lehtë të sigurosh leje qëndrimi nëpërmjet kontratave të punësimit, ndaj kërkesat për azil janë të ulëta.