Raporti i Inteligjencës amerikane: Putin aprovoi fushatën dezinformuese kundër Biden gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar

17 Mars 2021, 15:20

Presidenti rus Vladimir Putin ka autorizuar përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA në favor të ish-Presidentit Donald Trump, thuhet në një raport të publikuar nga zyrtarët e inteligjencës amerikane. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, “ka autorizuar disa organizata të Qeverisë ruse që të ndikonin në operacione, me qëllim denigrimin e kandidaturës së presidentit Joe Biden dhe të Partisë Demokratike, duke mbështetur ish-presidentin Donald Trump”.

Në raport theksohet se Moska përhapi "akuza të pabazuara" në lidhje me fituesin e zgjedhjeve dhe presidentin aktual, Joe Biden. 

Megjithatë në raport theksohej se asnjë qeveri e huaj nuk kishte kompromentuar rezultatet përfundimtare. Raporti i paklasifikuar prej 15 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, thotë se nuk ka indikacione se aktorët e huaj kanë bërë përpjekje të ndikojnë aspektet teknike të zgjedhjeve, si ndërhyrja në fletëvotime ose tabela të votuesve.

Strategjia e Moskës është përqendruar në përdorimin e “përfaqësuesve të lidhur me inteligjencës ruse, për të çuar përpara narracionet e saj”, thuhet në raport.

Sidoqoftë, Rusia nuk ishte aq agresive sa në zgjedhjet e kaluara në përpjekjen për të goditur  infrastrukturën zgjedhore. Raporti thotë se operacionet kibernetike të vitin e kaluar ndoshta nuk ishin të përqendruara në zgjedhje dhe përkundrazi ishin pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të marrë nën kontroll institucione të ndryshme në SHBA.  

Irani po ashtu ka kryer “një fushatë të ndikimit të fshehtë për të dëmtuar rizgjedhjen e presidentit Trump”, por “nuk e ka promovuar në mënyrë aktive kandidatin demokrat Biden”, thekson raporti.

Sipas tij, qëllim i Iranit ka qenë të minonte besimin në zgjedhjet dhe institucionet amerikane dhe të nxiste ndarje brenda shoqërisë.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, “ka autorizuar fushatën dhe ushtria e Iranit, si dhe shërbimet e tij të inteligjencës e kanë zbatuar atë, duke përdorur mesazhe të hapura dhe të fshehta, si dhe operacione kibernetike”, thekson raporti i inteligjencës amerikane.