“Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”: pohimi vjen nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, e cila sapo ka publikuar "Raportin Vjetor" në lidhje me vitin 2017.
“Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”, vlerëson Raporti duke shtuar se “trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri. Raporti përmend rastin në 2017 “të konfiskimit më të madh të kryer ndonjëherë, në rajonin e Marche-ve, të barabartë me 8 ton marijuanë, të cilat kishin si destinacion Europën Veriore”.
Raporti i antidrogës italiane vlerëson se “ për më tepër klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj”. Sipas dokumentit, ato përdorin bimë me rendiment të lartë dhe metodat gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane. Nisur nga përmasat e trafikut, sipas Raportit “grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës . Nga të dhënat e raportit shqiptarët zinin vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithësej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku.
Raporti vlerëson se 94 rastet e raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të lartat në dekadën e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011, me 49 raste. Raporti i Antidrogës italiane vlerëson se “rrugët e trafikut të drogësqë çojnë drejt kufijve të shtetit italian mbetën të pandryshuara. Shumica e drogave të konfiskuara, afërsisht 95% u kapën jashtë vijës bregdetare, në ujërat territoriale dhe përgjatë kufijve detarë”, vlerëson raporti.
Në zonat kufitare lidhur me trafikun e marijuanës shënohet edhe numri më i madh i shqiptarëve të arrestuar, 41 persona nga 93 të huaj të ndaluar në kufijtë italianë përgjatë vitit 2017 me ngarkesa marijuane.
