Raporti i KLGJ: 32106 dosje stok te Gjykata e Lartë! Zvarritje edhe te e Tiranës, seancat nuk regjistrohen

4 Nëntor 2019, 17:47

TIRANE-Deri në 30 Qershor të këtij viti në Gjykatën e Lartë, që aktualisht nuk është në funksion janë 32106 çështje stok, ndërkohë që numri vijon që të rritet. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë Gjyqësor anëtarja Brunilda Kadi ka bërë një rezyme të gjendjes reale të gjykatave në të gjithë vendin me theks Gjykatën e Lartë që ka problematikën më të madhe. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka siguruar raportin mbi gjendjen e gjykatave. 

"Në përmirësimin e kësaj situate, propozohet veç plotësimit të vendeve vakante edhe miratimi i rregullave të detajuara për programin dhe procedurat e ndarjes së çështjeve me short. Në lidhje me backlogun në Gjykatën e Lartë në shifrën 32 106 çështje propozohet marrja e masave paraprake nga KLGJ, te cilat do te ndihmojnë në shqyrtimin e sa më shumë çështjeve në momentin kur GJL do të jetë funksionale" deklaroi Kadi. Ajo shtoi se probleme me zvarritjen dhe dosje stok ka edhe në gjykata të tjera, përfshirë Administrativen.

"Tek gjykata e Tiranës mbi 500 dosje me zvarritje tej afatit të arsyeshëm. Mbi 7000 dosje janë te Apeli Administrativ, zvarritje tej afatit të arsyeshëm. Vërejmë dorëheqje nga gjyqtarët paraprakë. Ka nevojë urgjente gjykata Administrative e Shkodrës për gjyqtarë" tha ajo. Një tjetër problem është edhe regjistrimi audio në seancat gjyqësore që nuk aplikohet në Gjykatën e Tiranës. "Në gjykatën e Tiranës nuk aplikohet regjistrimi audio me argumentet se nuk kanë sallë".