Raporti i MONEYVAL/ Denaj: Prioritet goditja e pasurive të krimit, OFL dëshmi e kësaj pune

22 Shkurt 2020, 15:03

Futja e Shqipërisë sërish në listën gri të pastrimit të parave, solli reagimin e Ministres së Financave Anila Denaj. Ministrja Denja tha se është shtuar angazhimi i qeverisë në luftën kundër pasurive kriminale dhe se sekuestrimet e ndodhura nga Operacioni 'Forca e Ligjit' është dëshmi se punës që ka filluar. Gjatë një konference për shtyp, Denaj reagoi për raportin e MONEYVAL mekanizëm i Këshillit të Europës, që e futi Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave, ku tha se ky raport vlerësoi anën teknike por jo sistemin. Megjithatë ministrja Denaj shtoi se në raport është shënuar progres në 6 rekomandime, ndërsa kërkohen përmirësime dhe rezultate konkrete në 15 kritere të tjera. Pasi bëri një përmbledhje të inspektimeve dhe para të sekuestruar të krimit, Denaj tha se Reforma në Drejtësi po sjell frytet e para pozitive në luftën e pronave të krimit.

"Shqipëria është vlerësuar nga Manyval, duke marrë rezultat të mirë në anën teknike, por jo për sistemin. Mori vlerësim pozitiv në kornizën ligjore. Ndryshimet ligjore që ka marrë kanë adresuat mangësitë teknike. Në raportin e fundit Shqipëria ka shënuar progres në 6 rekomandime. Janë kryer 471 inspektime. Janë kryer 2063 inspektime në pika kufitare, 4.7 milionë sekuestruar në pikat kufitare, deri më tani janë 65 milionë euro të sekuestruara nga pasuritë e bllokuara, janë dërguar 327 letërporosi dhe 74 raste hetim në gjykatë për pastrim parash. Reforma unike e drejtësisë do të sjell përpjekje për ndalimin e pasurisë kriminale dhe operacioni forca e ligjit është shembull i këtij aksioni. Kërkohet vëmendjen e shtuar për rritjen domethënëse të konfiskimeve. Reforma do të sjellë rezultate të prekshme dhe në konfiskimin  e pronave të krimit. OFL është dëshmi e punës që tashmë ka filluar. Rezultatet që lidhen me fillimin e hetimeve pasurore është vlerësuar me rezultat pozitiv", tha Denaj.