Raporti i Panelit Ndërqeveritar të OKB për Ndryshimin e Klimës, skenare alarmant për Europën

26 Shtator 2019, 13:58

Raporti i Panelit Ndërqeveritar të OKB për Ndryshimin e Klimës, i bazuar në 6000 referenca shkencore, 91 autorë dhe recensues nga 40 vende të botës, bazuar në një literaturë të ngurtë shkencore, ka projektuar dy skenarë mbi ndikimin e ngrohjes globale, një i dëshirueshëm, me një nivel të ulët të emetimeve të gazrave serë dhe një tjetër katastrofik, jo aq i mundshëm, me rritjen e temperaturës midis 3.2 dhe 5.4 gradë Celsius.

Toka paguan një çmim shumë të lartë si pasojë e politikave jo miqësore ekologjike, me ambiente të brishta oqeanike që duhet të përballen me një seri kërcënimesh si pasojë e ndryshimit të klimës. Sipas raportit të OKB, faktorët e rrezikut për shëndetin e planetit janë të ndryshëm. Veç rritjes së temperaturave do të ketë rritje të acidifikimit, ulje të sasive të oksigjenit në dete, shpeshtim i veprimtarisë së cikloneve dhe ulje të biodiversitetit detar. 

Ëndrra e shumë njerëzve, ajo e të jetuarit në breg të detit, së shpejti mund të shndërrohet në një makth. 

Nëse konfirmohen parashikimet e ekspertëve, vendet e Bashkimit Evropian do të vuajnë nga efektet e ngrohjes globale, duke filluar me rritjen e nivelit mesatar të detit.  Një problem i rëndësishëm, duke pasur parasysh që rajonet bregdetare të Unionit janë të banuara nga 214 milion njerëz dhe gjenerojnë 43 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pasoja pritet gjithashtu të ketë sektori i peshkimit, i cili siguron 4 milion vende pune dhe gjeneron 658 miliardë euro në vit. Ky sektor deri tani i vënë në provë nga shfrytëzimi intensiv, do të goditet rëndë si pasojë e uljes së vlerave të oksigjenit në ujrat detarë dhe rënia e sasive të peshkut dhe algave.
 
Këta faktorë do të shoqërohen me një tendencë ulje të biokompleksitetit dhe numrit të specieve detare, me pasoja të destinuara për të ndryshuar vetë idenë e mjedisit natyror.

    No videos found.