Raporti: Shqiptarët po investojnë në pasuri të patundshme, ka rritje të të kredisë për individët dhe bizneset

9 Tetor 2019, 22:01

Banka e Shqipërisë e vlerëson ecurinë ekonomike të vendit në nivelin e 2.3% për 6 mujorin e parë të këtij viti.  Ashtu siç ka raportuar INSTAT, edhe banka qendrore pohon se kontributi kryesor pozitiv u dha nga tregtia në këtë periudhë dhe negativisht ndikoi prodhimi i energjisë elektrike, tërësisht i ndikuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, dha një kontribut negativ në normën e rritjes ekonomike.

Për periudhën Janar – Qershor bankat tregtare kanë rritur kreditimin për bizneset pavarësisht se mbetet ende në nivel më të ulët se kredia për individët. Referuar të dhënave zyrtare kredia për individët  u rrit me 3%, dhe e ndikuar më së shumti nga rritja e kredisë në lekë dhe kredia për pasuri të paluajtshme.

Konkretisht sipas bankës rreth 62% e kredisë së marrë nga individët është për pasuri të paluajtshme, pra për banesa apo dhe biznese, dhe më pas vjen kredia për konsum me 17% të kredisë për individët.  Në total për kredinë për pasuri të paluajtshme ka arritur  në 113 miliardë lekë.

Kredia për individët në qershor të vitit 2019 zinte 32% të tepricës së kredisë, kundrejt 31% një vit më parë dhe 25% në fillim të vitit 2015. Edhe për bizneset në 6 mujorin e parë të vitit ka pasur gjallërim të kreditimit, pasi është dhënë 10 miliardë lekë më shumë se në 2018.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë ndan të njëjtin qëndrim me Bankën Botërore që ka pasur konsolidim fiskal me ritme të ulëta, për shkak se rreziqet janë shtuar, ndihmuar edhe nga situata e tensionuar politike.