Raporti: Zhduket kanabisi në Shqipëri, në 2018 u kultivuan vetëm 27 parcela (Shifrat)

13 Shkurt 2019, 17:17

Zhduket kanabisi nga Shqipëria. Policia e Shtetit në bashkëpunim me  GdF kanë publikuar raportin me shifrat e kultivimit dhe sekuestrimit për vitin 2018. Report Tv ka siguruar raportin ku theksohet se në total për vitin 2018, nga Monitorimet Ajrore, janë identifikuar 27 parcela me 675 bimë narkotike canabis sativa ose 4.642 bimë më pak se në vitin 2017. 

Në vitin 2018 janë kultivuar vetëm 0.8 ha nga rreth 2 ha që ka qenë në 2017. Në 2016 ishin 213 ha dhe ne 2013 ishin 323 ha. Në vitin 2018 ka pasur 40% më shumë fluturime se në vitin 2017. Janë kryer gjithsej 69 misione fluturime monitorime ajrore me 187 orë e 42 minuta fluturimi, ose 43h 26’ më shumë se në vitin 2017. Në skaner kanë kaluar 733 mijë hektarë të territorit shqiptar në 2018, nga 683 mijë që u kontrolluan në vitin 2017.  

Gjithashtu nga zyrtarët italianë u theksua se në vitin 2018 trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë ra me 81%, nga 34.7 ton kanabis që u sekuestruan në Itali në vitin 2017, në 2018 u sekuestruan vetem 6.6 ton. Zyrtarët italianë në bashkëpunim me policinë shqiptare deklaruan se pas pastrimit të territorit nga kanabisi, tani do të vijojë goditja e grupeve kriminale me skuadrat e përbashkëta hetimore, si në rastin e fundit, 'Lulet e Pranverës', që u finalizua dje.