Raportimi i plotë i gazetarit Adriatik Doci te 'Siguria' mbi skandalin e Metës me nënshtetësitë

27 Tetor 2020, 18:50

TIRANË- Gazetari i shqiptarja.com dhe i Report Tv Adriatik Doçi i thirrur në seancë dëgjimore në komisionin parlamentar për sigurinë Kombëtare, tha se presidenti Meta shkeli ligjin duke i dhënë nënshtetësinë një personi të dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 3 fëmijë. "Nga verifikimet e bëra, 90 përqind të personave që kanë marrë nënshtetësi të veçanta, nuk kanë asnjë kontribut dhe nuk shquhen në ndonjë fushë të caktuar. Në mes të 419 personave që kanë marrë nënshtetësi në emër të interesit kombëtar, është dhe një i dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 anëtarë. Ai është Arsim Fadil Ramadani i lindur në Kosovë. Nga verifikimet rezulton se gjeneralitetet e këtij personi në certifikatën që unë kam gjetur dhe që ka nënshtetësi shqiptare përputhen me atë që ka në dosjen e presidencës. Ai u dënua me 30 vite dhe është falur nga Presidenti Hashim Thaçi. Ai bën pjesë në listën e 419 personave që kanë marrë nënshtetësi nga Meta" si VIP Arsim Ramadani është dënuar në të 3 shkallët e gjyqësorit. Ka vuajtur 15 vite burg dhe në 2017 është falur me dekret presidencial" - tha Doçi.Ai tha se është shantazhuar nga presidenca për të ndërprerë investigimin. "Në telefonin tim nuk kanë mbërritur kërcënime, por ndërhyrje të papërshtatshme për të mos vijuar më tej me publikimin e emrave", shtoi Doçi. Në seancën dëgjimore e cila u ndërpre dy herë për shkak të problemeve me audion, Doçi ka rrëfyer se si nisi investigimin dhe nga ky e mori indicien. Dy kanë qenë indiciet kryesore, ka sqaruar Doçi, së pari këmbëngulja e presidentit për kundërshtimin e nënshtetësisë dhe mungesa e dekreteve. "Investigimin e kam nisur rastësisht. Ka qenë këmbëngulja e presidentit për kundërshtimin e ligjit të ri të nënshtetësisë, që më bëri të dyshoj. Indicia e dytë ishte mungesa e botimit të dekreteve të presidencës. Mungonin dekretet për dhënien e nënshtetësisë. Këto më shtynë të bëj kërkime për këto nënshtetësi. Në 3 vite u dhanë 854 nënshtetësi të veçanta në emër të interesit kombëtar. Në 10 vite nënshtetësi të tilla janë dhënë 350 nga presidentë të mëparshëm. Diferenca është shumë e madhe", sqaroi Doçi.