Ligji për dekriminalizimin do të ndryshojë. Kryetari i grupit parlamentar socialist në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla u shpreh se kryeministri Rama do të dorëzojë amendamentet në komisionin e reformës zgjedhore.
"Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me cdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që ti shqyrtojë.
Jemi besimplotë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meriton plotësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Fillimi i bisedimeve nuk është vetëm fitore e Qeverisë, por e aspiratës së shqiptarëve. Unë di të vlerësoj edhe rolin tuaj si deputetë të opozitës për të miratuar edhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi.
Padyshim që reforma zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni parlamentar, jo vetëm me ju, por edhe opozitës jashtë parlamentare, duke i garantuar PD-së një vend për përfaqësuesin e saj, duke i garantuar edhe veton. Përsëris edhe njëherë atë që kryeministri rishprehu që, ne mirëpresim që edhe PD të ushtrojë të drejtën e saj në këtë komision.
Sot kemi dakordësuar edhe zgjerimin e përfaqësimit të grupit më të ri të opozitës. E kemi kaluar këtë me konsensus. Me zi pres rritjen e përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Për reformat e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë" tha ai.
Nisma vjen pas rastit të Shkodrës kur kryetari i bashkisë Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi u zbulua dënimi që kishte fshehur në Itali. Nevojën e ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit kryeministri e argumenton me faktin se partitë politike nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.