Kryeministri Edi Rama foli nga Kuvendi ku tha se Shqipëria ka një marrëveshje me Pfizer për të aksesuar 500 mijë doza, por që i ka lënë hapësirë vetes që në kohën e duhur mund të kryej edhe marrëveshje të tjera me vaksinat që pritet të marrin miratimin në nivel europian si ajo AstraZeneca. Për këtë tha Rama nuk u pa e arsyeshme që të merrnin të gjitha sasitë që duheshin menjëherë, ndërsa sa për çmimin e saj tha se vaksina ka çmim fiks për të gjitha vendet e botës dhe kjo është e panegociueshme.
Ditën e sotme (18 janar) Kuvendi i Shqipërisë ka filluar sesionin e ri parlamentar, që është edhe i fundit i kësaj legjislature.
Në fjalën e tij hyrëse të seancës së sotme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ky Kuvend ka punuar në situatë të vështirë, duke iu referuar edhe braktisjes që i bëri opozita Kuvendit. Në seancë janë duke u diskutuar 3 akte që qeveria i ka propozuar për përballjen me COVID. Rama premtoi në fjalën e tij se Qeveria po bën gjithçka për realizimin e skenarit më ambicioz që ka, vaksinimin brenda 14 muajve, krahas dy skenarëve të tjera atë për 18 muaj dhe 24 muaj.
