Reagimet e protagonistëve pas titullit. Presidenti Demi thumbon Tiranën, Gega i falënderon të gjithë

12 Maj 2019, 21:41

Partizani është shpallur matematikisht kampion i Shqipërisë për sezonin 2018-2019. Të kuqtë falë fitores 2-1 në derbi ndaj Tiranës i ka dhënë fund thatësirës 26 vjeçare pa trofe në elitën e futbollit shqiptar. Ndërkohë falë ‘dopietës’ së Çinarit e kanë çuar në 17 numrin e ndeshjeve pa fitore të Tiranës, e cila rrezikon sëriozisht rënien nga kategoria.

Në fund vjen fitorja dhe tapeti i gjelbër i fushës ‘pushtohet’ nga tifozët shumica e të cilëve e shohin Partizanin për herë të parë kampion. Për të kuqtë ky është titulli numër 16 në histori. Në dhomat e zhvjeshjes festa e futbollistëve ishte e papërmbajtur.

Ndërkohë pas ndeshjes për më shumë se një orë tifozët e kuq qëndruan në hyrje të stadiumit “Selman Stërmasi”, për të pritur në dalje herojntë e tyre. Ndërsa protagonistë të takimit, zyrtarë dhe presidentë u shprehën:

“Morëm kampionatin kjo është e rëndësishme. U shoqërua me fitimin e derbit dhe për këtë jamë shumë i lumtur. Më vjen mirë për djemtë, për klubin, për tifozët dhe për çdo njëri që na mbështeti nga dita e parë e deri më sot,”- Skënder Gega.

“Partizani e ka merituar totalisht fitoren pasi ne nuk kemi bërë asgjë në fushë. Një nga gjërat që diksutova me futbollistët në pushimin e ndeshjes ishte pikërisht kjo që Partizani po luftonte sikur të ishte duke rënë nga kategoria dhe jo e kundërta,”- Ardian Mema, trajner i Tiranës.

“Ne fitum një ndeshje që quhet derbi, ishim më mirë në fushë siç e panë të gjithë. Fituam kështu që sa të jem unë president Tirana nuk fiton,”- Gazmend Demi, president i Partizanit.

“Sot ishte ndeshja e radhës dhe më pëlqeu mënyra sesi e morëm me shumë seriozitet. E merituam fitoren plotësisht,”-Olsi Rama, drejtor i Partizanit.

“Janë 26 vite pritje dhe duke qenë edhe ndeshje derbi jemi shumë të lumtur. Ne këmi qenë edhe herë tjetër pranë titullit, por ky duket se ishte viti i duhur,”- Alban Hoxha, kapiten i Partizanit.