Reagimi i dyshimtë tek pacienti, pezullohen testimet e vaksinës së Oksfordit për COVID-19

9 Shtator 2020, 11:51

Kur e gjithë bota po konkurron se kush do të prodhojë vaksinën e parë anti-covid, njërës nga kompanive që është në garë i është ndërprerë prova e vaksinës.

Provat klinike për një vaksinë të koronavirusit, po zhvilloheshin nga kompania "AstraZeneca" në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, por janë ndërprerë përkohësisht pasi tek një nga vullnetarët në Britani u panë reagime të dyshimta, të kundërta nga ajo që pritej.

Nuk janë dhënë detaje të shumta në lidhje me problemet që ka shfaqur personi, por ai është duke u kuruar.  

Këtë ngjarje "AstraZeneca" e përshkroi si tejet normale në rastin e "një sëmundjeje të pashpjegueshme", që sipas kompanisë kjo gjë mund të ndihmojë për rishikim të dhënave.

Vaksina e Universitetit AstraZeneca-Oxford, deri tani ka qenë një nga pretendentët më të fortë midis dhjetëra vaksinave që po zhvillohen globalisht.

Vaksina kishte kaluar me sukses dy provat e para, faza e tretë e provës ka përfshirë 30.000 pjesëmarrës nga SHBA, Britania, Brazili, Afrika e Jugut.