Reagon Meta për djegien e mandateve: Veprim ekstrem, opozita të bëjë një hap prapa

20 Shkurt 2019, 09:06 | Përditesimi i fundit: 2019-02-20 10:18:43

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka komentuar për herë të parë vendimin e opozitës për të nisur procedurat për djegien e mandateve, duke e cilësuar këtë një veprim ekstrem që nuk i shërben as integrimit evropian të vendit.

Pjesë nga intervista e Metës për Deutsche Welle në Berlin

Gazetarja: Zoti President, para pak ditësh kishte një protestë masive në Shqipëri. Po protestohet për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Cili është vlerësimi juaj për situatën politike në vend?

Presidenti Meta: Përshkallëzimi i protestave apo i politikave ndarëse, akoma më keq konfrontuese, sidomos jashtë institucioneve, është një zhvillim i padëshiruar, ndërkohë që mbeten pak muaj që vendet anëtare të Bashkimit Europian të shprehen edhe një herë për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit.

Kështu që është momenti për të reflektuar të gjitha palët, për të pasur një qasje tjetër jashtë konfrontimeve të padëshiruara.

Gazetarja: Përkundër këtyre që thatë duket se ka një acarim apo përkeqësim të situatës që vjen nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet e deputetëve. A mund të na thoni cili është qëndrimi juaj për këtë krizë institucionale?