Real Madrid e Manchester City në çerekfinalet e Champions, eliminohet Atalanta

17 Mars 2021, 11:15

Nuk kishte asnjë surprizë mbrëmjen e së martës në ndeshjet e 1/8 të Champions League. Më tej kaluan Real Madrid dhe Manchester City. Los Blancos ishin shumë të fortë për italianët e Atalantës të cilët më kot shpresuan në një mrekulli.

Pasi kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë Reali triumfoi 3-1 në Madrid dhe “kapi” çerekfinalet. Benzema pas një gabimi të portierit Sportiello mbylli pjesën e parë në avantazh për djemtë e Zidane ndërsa kur kishte kaluar një orë lojë kapiteni Sergio Ramos u tregua edhe një herë i saktë nga njëmbëdhjetë metrat duke dyfishuar. Në fundin e takimit u shënuan edhe dy gola të tjerë. Muriel realizoi për Atalantën dhe Asensio mbylli llogarinë. Real Madrid tregon edhe njëherë gjithë potencialin e tij në Champions ndërsa mbyllet këtu aventura e Atalantës.Ndërsa Manchester City arriti një fitore fotokopje si ajo e aktit të parë ndaj Gladbah. City zgjidhi gjithçka që në 20 minutat e para ndaj gjermanëve ku shënoi dy herë me De Bruyne dhe Gundogan dhe e fitoi sfidën 2-0. Anglezët kalojnë në çerekfinale ku shorti për këtë fazë do hidhet të premten në mesditë./Përgatiti Andi Kapxhiu