Real Madrid në finalen e Superkupës, Icardi shkëlqen me PSG por do kalimin tek Juventusi

9 Janar 2020, 11:57

Real Madrid dhuron spektakël në gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës. Skuadra e Zidane ka bërë një paraqitje fantastike në Arabinë Saudite duke mposhtur 3-1 Valencian dhe arrin në finalen e madhe të së dielës. Pjesa e parë ishte perfekte me Toni Kroos që zhbllokon rezultatin me një gol “monumental” direkt nga goditja e këndit. Dyfishimi erdhi nga Isco një nga më të mirët në fushë. Edhe pse pa Benzema e Bale golat erdhën nga mesfushorët dhe Modric tregoi klasin e tij duke shënuar golin e tretë. Valencia shënoi  vetëm golin e nderit me penallti nga kapiteni Parejo. Reali pret rivalin në finale që do të dalë sonte nga gjysmëfinalja tjetër Atletico Madrid-Barcelona që starton në orën 20:00.

Mauro Icardi vijon të shkëlqejë tek PSG-ja. Argjentinasi po thyen rekorde dhe mbrëmë ka shënuar edhe tregolëshin e parë me ekipin francez në fitoren 6-1 ndaj Saint-Etienne. PSG-ja arrin gjysmëfinalet e Kupës së Ligës në Francë trofe të cilin e ka fituar 5 herë në 6 vitet e fundit. Megjithëse po dëfrehet në gola tek PSG mediat raportojnë se në verë Icardi dëshiron rikthimin në Itali dhe kalimin tek Juventusi.Ndërkaq akti i parë mes Leicester City dhe Aston Villas për gjysmëfinalet e Carabao Cup është mbyllur në barazim 1-1. Miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh me golin e Guilbert ndërsa Leicester barazoi me Iheanacho. Kualifikimi në finale është i hapur dhe do vendoset në ndeshjen e kthimit.