Real Madrid nuk i ndahet Barcelonës, ‘lkuidon’ pa shumë probleme Eibar

15 Qershor 2020, 12:52

Real Madrid i rikthehet futbollit të luajtur me fitore dhe mbetet në garë të plotë për titullin kampion në La Liga. Jo në “Santiago Bernabeu” i cili po rikonstruktohet por në stadiumin “Alfredo Di Stefano” Los Blancos nuk patën aspak probleme për të mposhtur Eibar dhe për të mbetur vetëm 2 pikë larg Barcelonës së vendit të parë. 45 minutëshi i parë për djemtë e Zinedine Zidane ishte fantastik dhe erdhën të tre golat me Kroos, Sergio Ramos dhe Marcelo. Në pjesën e dytë Reali e uli pak ritmin dhe Eibar shënoi me Bigas por vetëm kaq. Teknikut francez nuk i pëlqeu ulja e përqëndrimit ndërsa ai që shkëlqeu ishte Eden Hazard që po kthehet ai i kohëve të Chelseat.Takimin e radhës madrilenët presin Valencian.

Atletico Madrid e nisi me vetëm një barazim dhe mbetet në vend të gjashtë. Athletic Bilbao-Atletico Madrid në “San Mames” u mbyll 1-1 me të dy golat që u shënuan në pjesën e parë. Iker Muniain kaloi baskët në avantazh dhe Diego Costa barazoi për ekipin e Simeones.Barcelona mban vendin e parë me 61 pikë pasi të shtunën fitoi 4-0 ndaj Mallorca. Edhe për këtë sezon çështja e titullit në Spanjë do jetë një luftë mes Barcelonës dhe Real Madrid/ Përgatiti Andi Kapxhiu.