Real Madrid nuk po ndalet më, zhgënjejnë Chelsea e City në Premier League

16 Dhjetor 2020, 12:31

TIRANË- Real Madrid nuk po ndalet më duke mposhtur edhe Athletic Bilbaon 3-1. Los Blancos arrijnë fitoren e tretë radhazi në La Liga dhe kapin kreun e renditjes me 26 pikë po aq sa Sociedad e Atletico Madrid.

Ekipin e Zidane e ndihmon ndëshkimi me të kuq i Raul Garcias që në minutën e 14-të dhe Toni Kroos me një gol të bukur e mbyll pjesën e parë në avantazh. Baskët nuk dorëzohen dhe barazojnë në fillimin e pjesës së dytë me Capa. Megjithatë ajo e djeshmja do të ishte mbrëmja e Benzema. Sulmuesi francez shkëlqen duke shënuar dy herë mjaft bukur dhe i jep fitoren skuadrës së tij. Sot zbret në fushë Barcelona që pret Sociedad.

Lazio nuk ngre kokë në Itali dhe barazon 1-1 me Beneventon në transfertë. Goli i Ciro Immobile-s  nuk ishte i mjaftueshëm për kryeqytetasit dhe dueli i vëllezërve Inzaghi u mbyll në paqe. Lazio mban vendin e tetë duke qënë shumë pas në renditje.

Në ndeshjet e mesjavës në Premier League kanë zhgënjyer Chelsea dhe Manchester City. Blutë e Londrës u përmbysën nga Ëolves 2-1 dhe pësuan humbjen e dytë radhazi. Giroud i dha avantazhin skuadrës së Lampard por vendasit shënuan me Podence dhe Neto. Për Manchester Cityn erdhi barazimi i dytë radhazi. Goli i Gundogan nuk ishte i mjaftueshëm për të thyer WBA dhe ndeshja u mbyll 1-1./Përgatiti Andi Kapxhiu