Real Madrid 'prek' titullin, City leksion kampionëve të Liverpool

3 Korrik 2020, 13:38

Fitore e shëmtuar dhe me vuajtje por shumë e rëndësishme ajo që Real Madrid mori ndaj Getafes. Kapiteni Sergio Ramos vendosi duelin me penalltinë e shndërruar në gol dhjetë minuta nga fundi. Real Madrid prek titullin pasi shkon 4 pikë larg Barcelonës 5 ndeshje nga fundi.

Fillimisht duartrokitje dhe më pas “dajak”. Manchester City i dha një leksion kampionëve të saposhpallur të Liverpool duke fituar 4-0 në “Etihad Stadium”. De Bruyne, Sterling Foden tundën rrjetën e Alisson ndërsa Chamberlain e devijoi topin në portën e tij.Liverpool duket sikur ishte i dehur nga festa e titullit por sërish diferenca nga City i vendit të dytë mbetet 20 pikë, shumë e madhe aq sa për të mos njollosur sezonin.

Në Serinë A Atalanta siguron fitoren e shtatë radhazi dhe blindon zonën Champions. Nga 82 golat e shënuar deri më tani nga ekipi bergamask dy iu shënuan mbrëmë Napolit në fitoren 2-0. Gjithçka u zgjidh brenda pak minutave në fillimin e pjesës së dytë ku realizuan Pasalic dhe Gosens. 12 pikë ëshë diferenca me ndjekësen e afërt dhe Atalanta prenoton një tjetër sezon në Champions.

Roma u surprizua në “Olimpico” nga Udinese që fitoi 2-0 dhe morri një trepikësh jetik në garën për mbijetesë. Lasagna zhbllokoi shifrat dhe më pas verdhekuqtë mbetën me një lojtar më pak ndërsa llogaritë i mbylli Nestorovski në fundin e takimit. /Përgatiti Andi Kapxhiu.