Real ngec ndaj Sociedad dhe mbetet 5 pikë nga Atletico, sonte Juventusi pret Spezian

2 Mars 2021, 11:06 | Përditesimi i fundit: 2021-03-02 11:08:23

Në ndeshjen e fundit të javës së 25-të në La Liga Real Madrid barazon në shtëpi 1-1 ndaj Real Sociedad dhe ngjitet në kuotën e 53 pikëve duke mbetur pas me 5 pikë nga Atletico Madrid e vendit të parë.

Sociedad kaloi në avantazh me Portu në minutën e 55-të por skuadra e Zidane shmangu dështimin duke barazuar një minutë nga fundi me brazilianin Vinicius Junior që lunte ndeshjen e 100 me fanellën e Los Blancos. Me këtë barazim Real mbetet në vend të tretë duke mos parakaluar Barcelonën. Të dielën është derbi me Atleticon që do të vendosë shumë për çështjen e titullit.Ndërsa në Serinë A sonte Juventusi do kërkojë rikthimin tek tre pikët në ndeshjen e javës së 25-të ndaj Spezias që luhet në Torino. Megjithëse është 10 pikë larg Interit kryesues trajneri Andrea Pirlo beson tek titulli kampion. Pritet duel interesant mes mbrojtësit të Kombëtares Ismajli dhe Ronaldos./Përgatiti Andi Kapxhiu