Reflekton Brukseli! Oliver Varhelyi: BE, mekanizëm për vaksinat për Ballkanin Perëndimor

19 Janar 2021, 20:27

Pas kritikave të bëra nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë bërë jehonë edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare, për sjelljen e BE me çështjen e vaksinave për rajonin, ka ardhur edhe reflektimi.

Komisioneri për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi, ka dhënë lajmin se unioni ka nisur lëvizjet për të siguruar vaksinat anti-COVID për vendet e Ballkanit.

"Për të siguruar front të bashkuar për të mposhtur COVID19 dhe qasjen e hershme në vaksina, Komisioni Evropian do të ngrejë mekanizëm për të strukturuar sigurimin e vaksinave të ndara nga shtetet anëtare, me vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët. Do të hulumtohen mundësi të mëtejshme për të siguruar vaksinat herët", shkruan ai në Twitter.  

Kujtojmë se prej ditësh Kryeministri Rama ka kritikuar ashpër mënyrën se si BE nuk tregoi solidaritet për vende e Ballkanit për çështjen e vaksinimit. Ai e ka konsideruar këtë vendimmarrje absurde, të papranueshme moralisht, të pakuptueshme politikisht, të pajustifikueshme edhe logjikisht.

"Si njeri jam ndier i indinjuar, si evropian si turpëruar, ndërsa si Kryeministër i Shqipërisë jam ndier më i motivuar se kurrë për të mos lejuar përjashtimin e shqiptarëve. I hymë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tokë pa asnjë ndihmë nga BE", shprehej para 20 ditësh Rama.

Ndërkohë sot mediat prestigjioze ndërkombëtare si "The Guardian' dhe  Associated Press kanë pasqyruar shqetësimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe paralajmërimin se disa mund të shikojnë drejt Kinës dhe Rusisë teksa janë lënë vetëm.