Reforma Zgjedhore/ Salianji: Nuk ulemi në tryezë me Ramën e Opozitën e re

8 Korrik 2020, 19:56 | Përditesimi i fundit: 2020-07-08 19:58:02

Ndërsa kryeministri Edi Rama propozoi një tryezë 3 palëshe për reformën zgjedhore, përgjigjen ia ka dhënë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Në një intervistë për Report Tv ai refuzon të diskutojë me opozitën parlamentare pasi i cilëson ata përfaqësues të kreut të qeverisë. Salianji thekson se kërkesat e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit apo heqjen e koalicioneve janë të papranueshme, pasi nuk realizohen disa muaj para zgjedhjeve.

Partia Demokratike as nuk do të ulet në tryezë me as me kryeministrin e as me opozitën e re madje nuk ka ndërmend të lëshojë pe për të pranuar kërkesat për hapje të listave apo heqjen e koalicioneve parazgjedhore në këmbim të votave për miratimin e "Zgjedhores".

Këtë e konfirmon për Report Tv, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji.

"Ky nuk është një pazar, rregullat e lojës nuk janë çështje pazari dhe nuk janë çështje që më jep dicka që të të jap dicka. Është një çështje standarde që duhet të jetë e garantuar nga qeveria dhe përgjegjëse është qeveria që gjithë spektri politik ësht% dakordësuar dhe ka arritur një marrëveshje. Edi Rama thotë uluni prapë me Edi Ramën, nuk ka sens", thotë Salianji.

Ndonëse selia blu nuk është shprehur kundër listave të hapura, Salianji argumenton pse në këto momente kërkesa e opozitës parlamentare nuk mund të merret parasysh. Sipas tij, ndryshimi i sistemit nuk mund të ndodhë disa muaj para zgjedhjeve parlamentare.

"Nuk mund të bëhet në këtë moment pa kaluar tek qytetarët sepse ka teknikalitete që nuk mund të kalojë 7 muaj para zgjedhjeve, mënyra se si do të zgjidhen, votimi elektronik për të pasur një listë të gjatë të kandidatëve, nëse do të jenë propocional rajonal apo proporcional kombëtar. Të gjitha këto elementë nuk të çojnë edhe nga ana teknike për të realizuar një proces të hapjes së listave", thotë Salianji.

    No videos found.