Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës, Arbian Mazniku u shpreh në studion e Report Tv se qëndrimi refuzues i studentëve pas plotësimit dhe tejkalimit të kërkesave nga kryeministri Edi Rama, tregon të gjithë dinamikën dhe qëllimin e protestës e cila sipas tij po instrumentalizohet politikisht.
Ka të paktën tre shkresa, në Kryeministri, Kryesi të Kuvendit dhe te Ministria e Financave. Flitet për tetë prej tyre, por janë të ndryshme. Kjo ndodh sepse sot nuk kemi një mundësi që studentët të thonë këto janë kërkesat që ne kemi dhe të ulemi në dialog. Përsa kohë nuk ka dialog kjo e vështirëson. Sot dinamika e protestës ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Kemi një tentativë të qartë nga qarqet politike për ta instrumentalizuar protestën. S'e kuptoj pse disa njerëz nuk ulen në dialog. A është kjo protestë tregues për krijimin e një rryme të re politike? Nëse kemi të bëjmë me njerëz që kanë agjendë politike, kjo është çështje tjetër. Por ka nevojë për adresim të ndryshëm nga ana e shoqërisë. Problem është kur thuhet jemi kjo dhe del që është një gjë tjetër.
Arbian Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
Paketa e kryeministrit, tha Mazniku, është shumë më e gjerë se ajo që studentët kanë kërkuar në këto ditë proteste. Refuzimi i dialogut, shtoi ai, në kushtet kur qeveria është e hapur për të biseduar është absurde, kur qeveritë e kaluara nuk denjonin të dëgjonin dhe zgjidhnin heshtjen përballë kërkesave të protestuesve.
"Është një paketë që zgjidh jo vetëm tarifat, pjesëmarrjen e tyre në Bord, por avancon në mënyrë të qëndrueshme sistemin arsimor të lartë. Kryeministri ka qartësua se kemi nevojë për dialog. Kemi nevojë të ulemi për t'i dhënë zgjidhje. Nuk ka thënë se do ndalojmë protestën, as negociim, por dialog për ato çështje që ju kërkoni dhe gjërat mund të jenë përtej gjërave që janë në protestë. Për dhjetëra vite, unë nga historia kam qenë protestues i regjur për shumë vite më parë dhe përqasja ka qenë se qeveria nuk fliste, nuk ulej të dialogonte. Por në kushtet e sotme qeveria është e gatshme të negociojë dhe kemi dhe një palë që nuk do të vërteta", tha Mazniku.