Refuzohet mega-projekti turistik i Behgjet Pacollit në Divjakë!

23 Nëntor 2019, 19:59

TIRANË- Komiteti i Investimeve Strategjike ka refuzuar projektin e kompanisë Mabetex, në pronësi të Behgjet Pacollit, për të ndërtuar një investim turistik në Divjakë, me arsyetimin e shkelen ligjet në fuqi për ruajtjen e Parqeve Kombëtare.

Publikimi i këtij vendimi është bërë vetëm pak ditë më parë, ndërsa vetë vendimi ishte marrë në mars të këtij viti.

Në fakt, prej muajsh ishte vënë re që punimet në këtë rajon ishin pezulluar, pas fillimit të tyre me lejen e qeverisë shqiptare në vitin 2015. Projekti u quajt “Divjaka Resort” dhe parashikohej të shtrihej në një sipërfaqe gjigande prej 3,342 hektarësh hapësirë, nga të cilat 200 hektarë do të ishin plazh, ndërsa 1,050 hektarë pyll. Aty parashikohej që të ndërtoheshin 370 vila dhe 2,350 apartamente, në të cilat mund të akomodoheshin deri në 18,000 turistë.

Për të stimuluar zhvillimin e faunës dhe florës projekti parashikonte edhe një lagunë prej rreth 1,270 hektarësh. Por projekti hasi, veç të tjerash, edhe në kundërshtimin nga shoqatat ambjentaliste, ndërkohë që autoritetet shtetërore konstatuan shumë shkelje ligjore që paraqiste masterplani i resortit të planifikuar nga Mabetex.

Komiteti i Investimeve Strategjike, që kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ka vendosur “Mospranimin e kërkesës për përfshirjen e projektit investues “Divjaka Resort Albania”, me subjekt investues Mabetex Group, në Divjakë, në procedurën e veçantë, pasi tipologjia e projektit të paraqitur nuk është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe legjislacionin për zonat e mbrojtura”