TIRANË- U përcoll sot në banesën e fundit me një ceremoni të heshtur familjare Gjergj Xhuvani, një nga regjisorët më të shquar. Regjisori shqiptar ndërroi jetë në Romë, 6 ditë më parë nga një sëmundje e rëndë. Ishte duke përfunduar filmin e tij më të fundit “Liqeni”, tashmë në proces montazhi.
Trupi i pajetë i Xhuvanit, u kthye sot në orët e para të ditës në atdhe. Ndërsa familja, miqtë e kolegët zgjodhën heshtjen e thellë në këtë ditë homazhesh. Në ceremoni mori pjesë me leje të posaçme edhe i biri Kostandin Xhuvani që po vuan 35 vite burg për vrasje.
Helidon Fino personazhi i filmit “Lindje Perëndim Lindje”, i ligështuar nga dhimbja, nuk arriti dot të fliste asnjë fjalë para kamerave. Dritan Huqi, bashkëpunëtor dhe producent i filmit ndërsa ka sjell trupin e regjisorit në atdhe, përmes një postimi në rrjetet sociale i ka premtuar mikut të tij se: “Liqeni im” drejt festivaleve dhe publikut! ....për të çuar deri në fund tanimë filmin-testament, xhiruar buzë liqenit, atje ku bashkohen tri kufinj… Sepse vepra e Gjergj Xhuvanit i bashkon njerëzit.