Rehabilitimi i zonës përreth Mozaikut, arkeologu: Punime diletante, projekti duhej miratuar nga Këshilli i Trashëgimisë

23 Mars 2021, 16:06

Rehabilitimi i hapësirave publike pranë Mozaikut të Tiranës nuk është mirëpritur nga specialistët e trashëgimisë kulturore. Arkeologu Neritan Ceka gjatë një vëzhgimi në terren, punimet e realizuara deri tani i cilëson diletante, derisa projekti i rehabilitimit nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës.

“Jemi pranë një Monumenti Kulture të kategorisë së parë, i vetmi i karakterit arkeologjik në qytetin e Tiranës. Është një vilë e shekujve tre-katër e erës sonë që zhvillohet në formën e një bazilike paleokristiane. Në raste të tilla projekti kalohet te Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në Ministri të Kulturës dhe vendoset një arkeolog që të ndjekë punimet që bëhet nga firma. Por gjë që duket s’ka ndodh se punimi është bërë me skrap dhe është fut në shtresën kulturore që dallohet qartë midis pjesës së tabanit, që është algjiror, tipik balta e kuqe e Tiranës dhe pastaj depozitime që mbajnë tjegulla, të shek. të gjashtë të erës sonë”, shpjegon arkeologu Neritan Ceka, i cili i cilëson këto ndërhyrje diletante, prej së cilave karakterizohet Ministria jonë e Kulturës.

Kur s’ka përfunduar gërmimi, kjo ndërhyrje tregon diletantizmin që karakterizon Ministrinë tonë të Kulturës. E gjithë kjo bëhet në kuadër të rrumpallës që karakterizon monumentet kulturës në Shqipëri. Të paktën për pasion personal këtu duhet që të vinin arkeologët që punojnë në Mozaikun e Tiranës, sepse e kanë kaq afër. Duhet të ishte gërmuar, pastaj të kishte vendosje të tilla betoni. Pa gërmuar territorin, s’duhet të bëhen punime. Kemi këtë gjendje ku nuk respektohet monumentet”, thotë Ceka.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa, thekson se në projektin fillestar nuk ishte parashikuar asnjë gropë për të bërë shatërvanë, prandaj punimet janë ndërprerë dhe se janë ende në pritje të vendimit të këshillit kombëtar të trashëgimisë për të vijuar më tej ose jo