Rehabilitohet qendra e fshatit piktoresk të Dukatit

18 Prill 2019, 19:17

Ndizet drita jeshile për fshatin piktoresk të Dukatit në Vlorë. Qendra e fshatit është në fazën përfundimtare të rehabilitimit, duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori dhe me natyrë mbresëlënëse.

Në sajë të projektit 100 fshatrat, në bashkëpunim me ambasadën zvicerane dhe atë Autriake, bashkia e Vlorës ka investuar për rikualifikimin total urban të kësaj zone.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi  punimet  nga ku  u shpreh se në këtë projekt  janë përfshirë  edhe shumë objekte të cilat do të jenë atraksion për turistët si kullat e Dervish Haliut dhe “Shkolla e kuqe”,  e cila njihet si një shkollë me histori të vjetër, por që prej vitesh kishte ngelë një gangrenë në qendrën e fshatit.

Banorët e Dukatit shprehen se ky projekt do të rrisë ekonominë e vendit dhe do të pakësoje emigrimin e të rinjve.

Ky projekt synon rritjen e turistëve dhe nëpërmjet tyre përfitimet evidente në bizneset e fshatit, restorante apo kafene, si edhe në zhvillimin e aktiviteteve lokale si artizanati apo produktet tipike të zonës. Fshati Dukat është një nga qendrat e banuara me te vjetra ne rajon.

Dëshmitë e para historike mbi këtë zonë datojnë që në fillimet e mijëvjeçarit të parë pas Krishtit. Me nje histori të gjatë dhe tradita të pastra, fshati Dukat është një dëshmi e pastër e identitetit të jugut te Shqipërisë.