Rehabilitohet qendra shëndetësore në Kashar, Manastirliu: Më shumë siguri për vaksinat

24 Prill 2019, 13:35

Investimi i parë i rëndësishëm që nis këtë vit për ruajtjen e zinxhirit ftohës të vaksinave, do të rrisë sigurinë e vaksinimit”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu, gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Kashar 1, në periferi të Tiranës, e rehabilituar plotësisht në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

Duke deklaruar se po punohet për ruajtjen e mbulesës së lartë vaksninale, Manastirliu bëri një apel për prindërit që refuzojnë vaksinimin e fëmijëve.

“Jemi këtu për të promovuar dobinë e vaksinimit për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ndaj ju them të gjithë prindërve, të mos bazohen në argumente të paarsyeshme, por të ndjekin me rigorozitet kalendarin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Në fillimin e Javës Europiane të Vaksinimit, apelit ju bashkua edhe ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila garantoi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave.

“Dua të bëj një apel për prindërit, të mos hezitojnë për kryerjen e vaksinave, sepse përfitimet që vijnë nga vaksinimi janë të paarritshme dhe prandaj nuk duhet të kemi frikë nga vaksinat sepse vaksinat janë të sigurta”, tha Bino.