Reja flet sikur ka rinovuar kontratën, Duka frenon: S’kemi firmosur asgjë

21 Nëntor 2019, 13:00

Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer rinovimin e Edy Reja-s me Shqipërinë deri në vitin 2022. Madje vet tekniku thotë se është një sfide që e mbush me entuziazëm dhe vlerëson projektin që ka me kuqezinjtë.

“Do të kem nën mbikëqyrje gjithë lëvizjen futbollistike në Shqipëri dhe nëse jam trajneri më i vjetër në qarkullim kjo më mbush me gëzim”.

Në mediat italiane flitet për kontratë deri në vitin 2022 por nga analiza që bën vet trajneri nënkuptohet se kontrata mund të jetë 4-vjeçare. Kjo për arsyen se Reja më shumë se për Botërorin e vitit 2022 kualifikimin në të cilin e cilëson si të vështirë më shumë e përqëndron vëmendjen tek Euro 2024.

Por Presidenti i FSHF-së Armand Duka frenon gjithçka. I pyetur nga Report Tv Duka ka sqaruar se është me mendim pozitiv për vijimin me italianin por kontrata e re ende nuk është firmosur.