Reja kthehen 'gardën e vjetër', por Kombëtarja me 11 mungesa!

7 Nëntor 2020, 16:36 | Përditesimi: 7 Nëntor 2020, 16:36

Trajneri i Kombëtares Edy Reja ka rikthyer shumë futbollistë për dy ndeshjet e fundit vendimtare në Ligën e Kombeve, por edhe për miqësoren me Kosovën me 11 nëntor në Elbasan Arena. Në listën me 27 të grumbulluar bëjnë pjesë Cikalleshi, Balaj, Gjasula, Memushaj, Ismajli dhe kapiteni Elseid Hysaj. Risia këtë herë është Enis Çokaj, që vjen nga Lokomotiva e Zagrebit, ndërsa për shkak të pandemisë, por edhe për dëmtime do të mungojnë Strakosha, Dermaku, Mihaj, Roshi, Mersinaj, Lenjani, Trashi, Bare, Cekici, Vrioni dhe Kamberi. Ndërkohë pavarësisht këtyre peripecive Reja deklaron se kombëtarja duhet të arrijë objektivin që është vendi i parë. ‘Këto ndeshje do të jenë vendimtare. Objektivi ka qenë gjithmonë për të kapur vendin e parë dhe kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë do të synojmë fitoren. Edhe në ndeshjet e kaluara patëm objektiv katër pikët, por në fund morëm dy. Kanë ndikuar dëmtimet, por edhe situata e pandemisë.’

b.ha./Shqiptarja.com