Rekord i frikshëm informaliteti në 9 vite, paraja jashtë bankave 2.1 mld euro

28 Nëntor 2018, 14:22

Ndërsa e gjithë bota po shkon drejt ekonomisë pa cash, duke e kufizuar në minimum përdorimin e parasë fizike, në Shqipëri po ndodh krejt e kundërta. Paraja jashtë kanaleve bankare është rritur në mënyrë të pandalshme vitet e fundit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shtator, në vend qarkullonin 269 miliardë lekë, ose rreth 2.1 miliardë euro cash.

Kjo shumë është sa 21.5% e totalit të parasë që qarkullon gjithsej në vend, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2009, pra në nëntë vjet. Në periudhën 2008-2009 u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar për shkak të frikës që u shkaktua në atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale.

Ndërsa niveli më i ulët i saj ishte në tetor 2013, në rreth 16.7% të parasë gjithsej në qarkullim.

Sa më shumë para cash të qarkullojnë në ekonomi, aq më i lartë është informaliteti i vendit. Rritja sërish e këtij treguesi vitet e fundit është një dëshmi indirekte se një pjesë e madhe e transaksioneve në vend kryhen jashtë kanaleve bankare.

Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë ndikuar është edhe rënia e interesit të depozitave në lekë, që ka dekurajuar kursimet në monedhën vendase në banka. Të dhënat e shtatorit të Bankës së Shqipërisë  bënë të ditur se në krahasim me janarin e vitit 2014, kursimet në lekë të individëve janë reduktuar me gati 137 miliardë lekë, ose 1 miliard euro (nga 376 miliardë lekë në janar 2014, në 239 miliardë lekë në fund të shtatorit të këtij viti).