Rekord të infektuarish, 154 raste pozitive me COVID-19, 5 humbje jete në 24 orët e fundit

13 Gusht 2020, 16:13 | Përditesimi i fundit: 2020-08-13 19:12:10

 

Prej tre ditësh vendi ynë vijon të shënojë shifra rekord me të infektuarit nga COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 643 testime , nga ku kanë rezultuar 154 persona të konfirmuar pozitive me Covid-19. Ky është numri i më i lartë i regjistruar që nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu sot janë regjistruar edhe 5 humbje jete, të cilët nuk kanë mundur të fitojnë dot betejën me COVID-19. Numrin më të lartë të rasteve i ka Tirana e ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani.Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 84 raste në Tiranë, nga 10 raste në Durrës, Elbasan, 8 në Shkodër, 7 në Kukës, nga 5 raste Korçë, Lushnje, nga 4 raste Mirditë, Përmet, nga 3 raste Pogradec, Divjakë, Kolonjë, Malësi e Madhe, 2 në Has, nga 1 rast Kavajë, Tropojë, Peqin. Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 62 vjeçare nga Tirana, një 63 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Korça, një 74 vjeçare nga Shkodra, një 83 vjeçar nga Pogradeci. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 114 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 64 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3616, që nga fillimi i epidemisë. Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë të izoluar në banesë. Në rast se jeni i prekur dhe keni shenja të lehta të sëmundjes, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes. Në rast se simptomat përkeqësohen, kontaktoni Urgjencën Kombëtare 127, e vetmja strukturë që bën referimin dhe transportin drejt spitaleve COVID. "Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën. Një thirrje veçanërisht për të rinjtë, të tregojnë kujdes sepse virusi nuk njeh moshë dhe nuk bën përzgjedhje. Bashkëpunimi juaj është vendimtar për ta fituar luftën me virusin e rrezikshëm dhe për të frenuar përhapjen e tij", thuhet në apelin e Ministrisë së Shëndetësisë.